Zhoze Murinjo ka nënshkruar një nga kontratat më fitimprurëse të karrierës së tij, falë të cilës do të përfiojë gjysmë milioni euro në ditë, ose saktësisht 2 milion euro në vetëm 4 ditë punë.
Tekniku portugez ka pranuar të bëhet opinionisti televiziv i kanalit rus RT gjatë Botërorit 2018, edhe pse më parë kishet refuzuar ofertat nga BBC dhe ITV.
Marrëveshja parashikon që ai duhet të jetë 4 ditët e para të aktivitetit në Moskë dhe të paraqitet në zyrat e këtij televizioni në disa programe të ndryshme për Botërorin ku të japë mendimet e tij rreth ndeshjeve.
Më pas, ai do të jetë i punësuar edhe për natën e finales së Botërorit, por në këtë rast, nuk do të jetë nevoja që të udhëtojë drejt Rusisë, pasi lidhja direkte do të bëhet nga shtëpia e tij në Mançester.
Murinjo fitoi rreth 1,5 milionë dollarë në vitin 2014, gjatë Botërorit, kur punoi si opinionist për faqen e internetit të Yahoo, vetëm duke bërë disa parashikime të shkurtra para ndeshjeve.
Ai kishte insistuar këtë radhë që kompania e cila menaxhon të drejtat e tij, t’i siguronte sa më shumë para, me sa më pak ditë pune, pasi gjatë kohëzgjatjes së Botërorit dëshironte të shkonte në pushime me familjen. /vipsport/