Kategoria e Dytë luan sot ndeshjet e javës së shtatë. Dita e sotme ka rezervuar një ballafaqim interesant në grupin A, ku do të luhet ndeshja mes Murlanit dhe Valbonës.
Ekipi i Murlanit, i drejtuar nga Vahedin Pepaj, i cili është projektuar me objektiv ngjitjen në grupin e skuadrave të kreut, do të presë një sfidë shumë të vështirë në shtëpinë e tyre në Barbullush, ku do të përballet me Valbonën pretendente për ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Në përballjen me ekipin e Valbonës, për Murlanin, padyshim që edhe një pikë do të konsiderohej pozitive, duke marrë në konsideratë synimet që ka skuadra tropojane.
Ekipi i Murlanit, që siç dihet, drejtohet nga trajneri shkodran Vahedin Pepaj, deri më tani, ka arritur të marrë vetëm një trepikësh, ku i shkaktoi humbjen Adës në derbin e qarkut të Shkodrës.
Ndeshja Murlani-Valbona do të luhet ditën e sotme në fushën sportive në Barbullush, duke nisur nga ora 13:00.
Maringlen ZHIVANI