Më në fund “telenovela” mes Jamal Musiala dhe Bayern Munich ka fund të lumtur për të dyja palët. Mesfushori sulmues gjerman 21-vjeçar ka vendosur ta zgjasë “martesën” me klubin bavarez deri më 30 qershor 2030.

Duke “rikthyer kasetën” e aventurës së tij në Gjermani, ardhja e Musialës daton në verën e vitit 2019, kur klubi zgjodhi ta merrte nga akademia e Chelsea dhe të investonte në të. Një lëvizje absolutisht e përshtatshme duke parë rritjen e pamasë, deri në nivelet më të larta, mes Bayernit dhe kombëtares gjermane.

Pas njoftimit të bërë nga klubi bavarez në rrjetet sociale dhe nënshkrimit të kontratës së re, djaloshi i lindur në vitin 2003 shprehu ndjenjat e tij të para për rinovimin: “Jam vërtet i lumtur. Bayerni është një nga klubet më të mëdha në botë. Këtu kam hedhur hapat e mi të parë në futbollin profesionist dhe besoj fuqimisht se mund të arrijmë diçka të mrekullueshme me këtë klub në vitet e ardhshme. Jam i emocionuar për gjithçka që na pret”.

Herbert Hainer, presidenti i Bayernit, shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij: “Çfarë dhuratë e jashtëzakonshme e hershme për 125-vjetorin e klubit dhe tifozëve. Njerëzit shkojnë në stadium për lojtarë si Jamal Musiala. Ai është një lojtar vërtet i jashtëzakonshëm. Ndonjëherë duket se ligjet e gravitetit nuk vlejnë për të. Falë bordit tonë sportiv është një ditë shumë pozitive për menaxhimin e Bayernit”./telesport/