Emiljano Musta i përgjigjet Skënder Gegës për përplasjen që vulosi largimin e elbasanasit nga Kukësi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, lojtari 28- vjeçar ka treguar atë që sipas tij është e vërteta e vetme e debatit me trajnerin. “Kërkon të mbulojë diellin me shoshë, por kam dëshmitarë drejtorin Nexhipi dhe djalin e presidentit për atë që ndodhi në miqësoren ndaj Vllaznisë”, tregon ndër të tjera Musta, teksa flet edhe për transferimin surprizë te Laçi.
Nga rinovimi i kontratës me Kukësin dhe më pas një largim i befasishëm. Si ka mundësi që gjërat rrodhën kështu?
Është e vërtetë që rinovova me Kukësin për dy vite dhe me kushte shumë të mira. Me klubin jam shumë i kënaqur për çdo gjë, duke filluar nga vlerësimi që më bënë dhe gjithçka tjetër. Mirëpo, ndodhi ajo që ndodhi, dhe me sinqeritet nuk ndihesha më rehat, prandaj dhe kërkova largimin. Pas miqësores që bëmë me Vllazninë të shtunën e kaluar, vendosa të prish kontratën dhe drejtuesit më mirëkuptuan për këtë.
Atëherë, çfarë ndodhi në miqësoren ku ju luajtët vetëm pesë minuta dhe më pas trajneri Gega deklaroi se thyet disiplinën…?
Unë nuk kam qejf të bëj polemika me trajnerët, i kam respektuar gjithmonë. Sa i përket pjesës së disiplinës, ku sipas trajnerit unë e kam thyer, mund të them se ndoshta kërkon të mbulojë diellin me shoshë. Për këtë mund të pyetet fare mirë se çfarë ka ndodhur drejtori Nexhipi dhe gjithë stafi që ka qenë aty.
Më konkretisht për çfarë keni debatuar me trajnerin?
Më largoi nga loja në minutën e 5-të ndaj Vllaznisë dhe me bindje mund të them se nuk kam thyer disiplinën. Thjesht i kam kërkuar trajnerit të jetë më i qetë. Ishim vetëm dy metra larg njëri-tjetrit dhe ai po bërtiste! Jemi burra nga 30 vjeç dhe kështu nuk shkon. Ndoshta ai është mësuar të stërvisë fëmijë në akademi, por ne jemi ekip burrash, prandaj dhe nuk shkojnë sjellje të tilla. Me shumë mirësjellje i kam kërkuar që të jetë më i qetë, ndërsa përgjigjja e tij ishte: “Dil jashtë!”. Kjo ishte e gjitha. Pastaj largimin e kam kërkuar vetë.
Po drejtuesit çfarë të thanë?
Ju kam thënë drejtuesve se nuk ndihem rehat me këtë trajner dhe kërkova mirëkuptimin e tyre. Gega ka thënë edhe se klubi qenka treguar zemërgjerë me mua. Për këtë dua t’i them se klubi nuk ka pasur asnjë shkak, prandaj dhe nuk më ka vënë gjobë. E kam ndërgjegjen e pastër dhe kam dëshmitar për ngjarjen drejtorin sportiv, Nexhipi, si dhe djalin e presidentit Gjici, të cilët kanë qenë të pranishëm aty përfshi edhe gjithë lojtarët e stolit. Megjithatë, tani është e kotë të diskutohet kjo. Unë kam shumë respekt për Kukësin dhe personalisht jam sqaruar me presidentin Gjici. Do ta tregojë koha nëse kam gabuar unë që u largova apo gabuan ata që më lanë të lirë.
Pse situata shkoi deri në këtë pikë, mos ndoshta afrimi i mbrojtësit të majtë, Besir Demiri, ju bëri nervoz dhe më pas erdhi përplasja me trajnerin…?
Unë kam qenë titullar i padiskutueshëm në skuadër dhe një ndër lojtarët më të paguar të skuadrës. Meqë përmendët Demirin, unë di që ai është marrë te Kukësi për mesfushor qendre dhe jo në rolin tim. Thjesht gjërat shkuan deri në atë pikë saqë unë nuk isha aspak i qetë për të punuar me këtë trajner. Mendova që më mirë të kërkoj largimin, sepse normalisht klubi nuk mund të heqë trajnerin për mua. E tregon koha nëse është gabim. Megjithatë, përderisa unë nuk kam bërë asnjë replikë me askënd dhe klubi më falënderon pas prishjes së kontratës, do të thotë se gabimi nuk është tek unë, por diku tjetër.
Për çfarë të vjen më shumë keq në aventurën te Kukësi?
Shiko, futbolli kështu është. Ndoshta një ditë rrugët na bashkohen me Kukësin. Më vjen më shumë keq për faktin se nuk munda të dal kampion. U mundova të jap maksimumin, por kështu ishte e shkruar. Ndihesha i vlerësuar te Kukësi, sepse jo më kot rinovova për dy vite. Gjithsesi, jo çdo gjë është në dorën time.
Të flasim pak për kalimin te Laçi. Çfarë ju bindi të firmosnit?
Laçi më bindi prej presidentit Laska. Ai ngulmoi aq shumë që unë të firmosja, saqë më plotësoi çdo kërkesë që kisha. Kur dikush të do me patjetër, është vlerësim. Telefoni nuk më ka pushuar kur u largova nga Kukësi, pasi kisha edhe oferta të tjera. Megjithatë, i dhashë fjalën presidentit të Laçit vetëm prej ngulmimit që kishte. Laska u tregua burrë i besës, sepse më premtoi diçka dhe e mbajti fjalën. Prisha kontratën dhe rrezikoja të mbetesha edhe pa ekip nëse Laska do të më dilte nga llafi, por ai çdo fjalë në tavolinë e bëri fakt në kontratë.