Është ndezur debati në “Panorama Sport” sa i takon titullit kampion të sezonit 1999-2000, i vendosur nga një ndeshje shtesë në stadiumin e Elbasanit mes Tiranës dhe Tomorit, që shpalli fitues bardheblutë.
Pas rrëfimeve të protagonistëve të kohës në kampin beratas, portierit Madrid Muxhaj dhe sulmuesit Klodian Arbëri, të cilët, ashtu si të gjithë beratasit, e konsiderojnë vjedhje atë titull, ka folur shefi i sektorit të garave në FSHF-në e saj kohe, Besnik Çela.
Mes të tjerash, Çela hedh pretendimet e beratasve për ndeshjen shtesë, duke pohuar se atë e parashikonte rregullorja dhe për këtë ai ka vënë në dispozicion të gazetës edhe rregulloren e kohës. Në atë rregullore thuhej se ndeshja shtesë duhej të luhej në Tiranë, por u luajt në Elbasan. Ish-kapiteni i Tomorit, Madrid Muxhaj, i përgjigjet shkurt dhe prerë Çelës: “Ai titull ishte i Tomorit dhe pikë.
E përfunduam kampionatin me pikë të barabarta dhe me golaverazh të njëjtë. Me ndeshjet direkt ishim ne fitues. Rregullorja është e njëjtë kurdoherë dhe në të tilla raste parësore janë ndeshjet direkt. Ne kishim një fitore dhe një barazim ndaj Tiranës, kështu që na takonte titulli. Rregullorja e Çelës? Është ndryshuar një javë para mbylljes së kampionatit.
Ne festuam për titullin kampion pas ndeshjes me Partizanin, sepse u mbyll gjithçka dhe Tirana e kishte të pamundur të na kalonte. Askush nuk tha gjë në atë kohë. Gjithçka ndryshoi, pasi u nda nga jeta presidenti i Tomorit. Kjo është e gjitha. Pastaj, sa i takon ndeshjes shtesë, e vërteta është se ne kërkuam që të luhej në Tiranë ose në Korçë, por FSHF-ja kërkoi që të luhej patjetër në Elbasan. Nuk e kishim problem të luhej në fushën e rivalit tonë direkt. Çuditërisht, ata nuk pranuan. Për të mos folur pastaj për atë çfarë ndodhi në fushë me gjykimin, ku një karton u dha tjetër për tjetër”, është shprehur Muxhaj.