Në javët e fundit të kampionatit shqiptar, në qendër të vëmendjes është kthyer kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu.

Ai arriti të gjente disa parashikime të sakta, ndërsa i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” që transmetohet në “Top Channel”, Mziu ka treguar edhe sekretin e parashikimeve, duke u shprehur se ato ishin një vijë logjike e rezultateve që po arriheshin.

“E para dua të them se ekipi i Kamzës nuk ishte rastësi që mbijetoi, pasi i dha ritëm kampionatit. Në gjysmën e kampionatit ishim në vendin e dytë, të tretën ose maksimumin në të katërtin.

Pjesa e dytë i ndryshoi gjërat dhe në disa raste mu dha rasti të jepja disa ndeshje të sakta, jo se kisha informacione, por duke parë mënyrën sesi po vinin këto rezultate, ishin të kuptueshme. Këtë e bëra për të demaskuar pandërshmërinë e futbollit shqiptar.

Finalja e Kupës mes Laçit dhe Skënderbeut nuk prodhoi atë që duhej. Një skuadër kampione që humb 5 ndeshjet e fundit, pasi provon futbollistët e rinj, mund të them se ka prishur kampionatin dhe e ka zbehur fitimin e titullit kampion”, ka thënë Mziu. /vipsport.al/