Njëri nga drejtuesit e lartë të Vllaznisë, pikërisht n/kryetari i Bordit Mbikëqyrës të klubit, Edip Shiroka, në një prononcim për gazetën, ka shprehur pakënaqësinë për dy rezultate të Vllaznisë arritur në ndeshjet e fundit. Pikërisht humbjen me Apoloninë dhe barazimin me Elbasanin, dy skuadrat që janë të pozicionuara në vendet e fundit të klasifikimit. “Skuadra ka arritur të fitojë ndaj Partizanit në sekondat e fundit dhe po ashtu është mundur në sekondat e fundit ndaj Kukësi, por mendoj se ky nuk është barometri i kësaj skuadre. Ajo duhej të ishte matur me Flamurtarin, Teutën, Apoloninë dhe Elbasanin.
Pikërisht, humbja me fierakët dhe barazimi me elbasanasit, mendoj se kanë qenë dy rezultate që nuk duhej t’i kishim pësuar. Në momentin kur jemi ofruar ne si Bord pranë ekipit, ai ka qenë në vendin e shtatë dhe aktualisht është sërish në të njëjtin vend. Për këtë arsye, mendoj se duhej të ishim ngjitur në të gjashtin. Jo për ndonjë gjë sepse nuk ka asnjë ndryshim me të shtatin, por të paktën për moral. I kemi qëndruar afër skuadrës, i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e prandaj ajo duhej të kishte patur më shumë angazhim”- ka thënë Shiroka. Por n/kryetari i Bordit ka folur edhe për të ardhmen dhe ka zbuluar disa plane të asaj se çfarë mund të ndodhë kur ka thënë: “Në mbledhjen e majit të Këshillit Bashkiak apo në ndonjë tjetër të fundit që mund të zhvillohet në qershor, do të kërkojmë miratimin edhe të një fondi tjetër që do të ndihmonte skuadrën për nisjen e punës për sezonin e ri. Ky fond do të shërbente për zhvillimin e një faze përgatitore në kushte komode apo dhe blerjen e ndonjë lojtari cilësor. Me këtë fond, puna do të vijonte deri në korrik apo në gusht kur do të nisë punën pastaj Këshilli i ri Bashkiak që besoj se do ta ketë prioritet Vllazninë”.
© shkodrasport.com