Vllaznia do të luajë të hënën sfidën e parë të kampionatit kundër Partizanit, takim që do të nisë në orën 20:00 në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet. Kapiteni i kuqebluve, Bekim Balaj, ka folur në një prononcim për mediat, duke u shprehur se ekipi është më se gati për këtë përballje.

“Normalisht që ndeshja e parë e kampionatit është gjithmonë emocionuese dhe mezi po e presim të gjithë lojtarët. Stërvitjen e kemi nisur herët, kështu që mendoj se kemi punuar mjaftueshëm dhe jemi gati për këtë ndeshje.

Nuk kanë rëndësi statistikat. Sigurisht që përqëndrimi është maksimal, është ndeshja e parë dhe duhet të tregojmë vetën e të shohim sa gati jemi për këtë kampionat. 10 vitet e fundit mund të them se kampionatet kanë qënë të rivalizuara, kështu pritet dhe ky vit.

Normalisht kampionati është i gjatë, me uljet dhe ngritjet e veta, por e rëndësishme është që të jemi sa më gati. Nuk e di, mund të them se rivalët dalin gjatë kampionatit, ekipet do e tregojnë veten nga ndeshja në ndeshje, por ne duhet të shohim veten dhe më pas të masim forcat me çdo kundërshtar.

‘Këpuca e Artë’ nuk ka rëndësi për mua, më intereson të shënoj dhe golat të kenë vlerë dhe të kthehen në pikë për skuadrën. Normalisht edhe për anën psikologjike të skuadrës një fitore në Tiranë do na bënte shumë mirë, por që duhet të jemi të përqëndruar dhe të bëjmë më të mirën tonë në këtë ndeshje.

Sigurisht që tifozëria shkodrane është mësuar të shohë lojtarë që kënaqin pritshmëritë e tyre. Unë bëj maksimumin sa herë më jepet mundësia në mënyrë që ta nderoj fanellën e Vllaznisë. Normalisht që pritshmëritë si për Balajn ashtu dhe për ekipin janë të larta dhe duhet të bëjmë shumë që të fitojmë sadopak zemrat e tifozave. Kështu që e dijmë sa punë na duhet që t’i fitojmë tifozat dhe t’i kemi në krah gjatë gjithë sezonit.” – u shpreh kapiteni Balaj. /SHKODRASPORT.COM/