Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, foli për MCN TV, pas barazimit të skuadrës së tij ndaj Dinamo City.

Memelli deklaroi se ekipi i tij humbi dy pikë sot, për mënyrën si shkoi loja, ndërsa shtoi se nuk kishin fatin në krahun e tyre.

Vijmë në këtë ndeshje, me disavantazhe të mëdha. Pusin, e kaluam mbrojtës të djathtë. Sala, nga sulmues e kaluam në mbrojtës të majtë. Dua të theksoj, se kishim një posedim nga poshtë, por nuk vlen kur nuk krijon. Krijuam shumë sot, sidomos në pjesën e parë me Balajn.

Kishim raste për të shkuar 2-0, apo edhe 2-1 me Çobën në fund. Dua të falënderoj lojtarët sepse dhanë maksimumin, megjithëse nuk luanin në rolet e tyre.

Balajt po i merret maksimumi. Pas një takimi që kam pasur kokë më kokë me Bekimin, kam thënë që duhet të fokusuar te puna e vet dhe po bën mirë. Mund të kishte shënuar një tjetër dopietë sot, por janë raste që humbasin lojtarët. Unë e kam një ide me sa gola do e përfundojë sezonin, nëse do jem unë këtu.

Për mënyrën si erdhi ndeshja, nëse do më thuhej në fillim, për shkak të mungesave, mund ta pranoja barazimin. Por duke parë lojën sot, nuk mund ta firmosja këtë barazim, por është pjesë e lojës. Me atë që treguam në fushë, mendoj se kemi humbur 2 pikë sot. Na mungoi edhe fati sot.