Ilir Nallbani beson te vendi i katërt. Ai duket se e ka arkivuar humbjen në Laç dhe mendon për të ardhmen, pra për 7 javët e mbetura. Mesfushori është i bindur se Vllaznia i ka të gjithë mundësitë që të zërë një vend në Europë. Nuk do të jetë e lehtë, por as e pamundur. Këto edhe të tjera futbollisti i tregon për gazeten, ku flet me nota tejet optimiste. “Nëse nuk shënon, do e pësosh”, – kështu e nis fjalën e tij kosovari, i cili mbetet i mendimit që Vllaznia në këtë pjesë të sezonit nuk ka luhatje në lojën e saj, por po ndëshkohet nga momente të lojës.

Nallbani e pranon se shkodranët gjithnjë kanë vuajtur ndaj Laçit, ndaj edhe në takimin e fundit ndodhi e njëjta gjë. Megjithatë, mesfushori e quan të rëndësishëm faktin që kuqeblutë kanë pësuar një ndryshim rrënjësor nga faza në fazë. “Nuk mendoj se kemi pasur oshilacione në lojë. Por ne nuk kemi pasur edhe shumë fat në përballjen e fundit, ndaj rezultati nuk foli për ne. Humbëm shumë mundësi që në fillim të takimit dhe kur nuk shënon, do pësosh, është një ligj i pashkruar i futbollit. Kjo skuadër në këtë pjesë të sezonit ka paraqitur lojëra të mira dhe ka marrë rezultate. Ashtu siç edhe mund të them për takimin e fundit, që e startuam mirë, por fati nuk ishte me ne që të ndëshkonim dhe jam i bindur se, nëse do të arrinim një gjë të tillë, gjërat do të flisnin ndryshe. Pastaj gjërat ndryshuan dhe ne nuk arritëm që të dilnim tek ajo që dëshironim pas pësimit të golit të parë. Mund t’ju them se pakkush u ndal te gjykimi në këtë përballje që duhet thënë se ka qenë e ndikuar prej saj. Megjithatë problemet e hasura duhet të neutralizohen sa më parë”, – tha fillimisht 30- vjeçari.
Vazhdimësia – Shumëkush do ta quante të pamundur pjesëmarrjen e kuqebluve në Europë këtë sezon. Megjithatë, pikët që ka aktualisht Vllaznia dhe matematika e mban në lojë. Përpos humbjes me Laçin, për shkodranët gjërat sikur janë vështirësuar, ndaj vetëm kthesa do të rikthente qetësinë në ekip. “Skuadra ka pësuar ndryshim rrënjësor krahasuar me atë të para disa muajve. Ky grup ka më shumë besim dhe optimizëm, ndaj nuk do të ishte e pamundur që ne të futemi në katërshen e parë, e cila të çon në Europë. Për mendimin tim një mision jo i lehtë, por as e pamundur. Unë personalisht jam me shprehjen se ‘shpresa vdes e fundit’, ndaj ne nuk duhet të shikojmë më nga e shkuara, por vetëm përpara. Lufta për vendin e katërt, sipas meje por jo vetëm, është ende e hapur. Nëse do të jemi në fund të sezonit në këtë vend, mund t’ju them se ia kemi arritur plotësisht qëllimit”, – përfundoi Nallbani.

Admir URUÇI