Ndeshjet Play-off janë të paparashikueshme, nga çdo lartësi. Këtë gjë e di mirë Diego Armando Maradona, që ka udhëhequr skuadrën e tij të Dorados de Sinaloa drejt një fitore të papritur 1-0 në transfertë, në fushën e Mieros, mes favoriteve për ngritjen në ligën elitare të Meksikës.
Pas barazimit 0-0 në shtëpi, Dorados të vendit të shtatë, të udhëhequr nga Pibe de Oro kanë pushtuar fushën e skuadrës së klasifikuar në vend të dytë gjatë sezonit të rregullt, duke u kualifikuar tashmë për në gjysmëfinale.
Një rezultat krejt i befasishëm, por mbi të gjitha, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen dhe ka bërë bujë është strategjia e zgjedhur nga Maradona për të drejtuar ekipin e tij.
Pibe de Oro u desh të asistojë ekipin e tij nga tribuna për shkak të pezullimit të pësuar në fund të ndeshjes së mëparshme, për shkak të protestave, por edhe pasi u kap nga kamerat duke përdorur telefonin në pankinë për tu lidhur me një prej anëtarëve të stafit të tij, që në atë kohë ndodhej në tribunë.
Tashmë ndodhi e kundërta. Maradona që nuk mund të kishte asnjë kontakt me pjesën tjetër të stafit teknik për shkak të skualifikimit, ka shfrytëzuar dhe përdorur një radio marrëse për të dërguar orientimet, këshillat taktike dhe për të përcaktuar zëvendësimet që duheshin bërë. Në përfundim të ndeshjes, me të drejtë, në dhomat e zhveshjes ka shpërthyer festa e pashmangshme.