Amin Younes ka mbërritur në Itali. Sulmuesi gjerman, me baba libanez, i datëlindjes 1993, ka zhvilluar vizitat dhe testet mjekësore në Romë, pranë Villa Stuart. Tashmë nuk mbetet më asgjë për të bërë veçse për të firmosur kontratën që do ta lidhë me Napolin për pesë sezonet e ardhshme. De Laurentiis, për ta “rrëmbyer” nga Ajax 6 muaj përpara skadimit të kontratës me holandezët, do të paguajë 5 milionë euro.

Të shtunën Younes duhet të jetë në kompleksin stërvitor në Castelvolturno, nën urdhrat e trajnerit Sarri, ndërsa të dielën mund të akomodohet në tribunën e “San Paolo”, për ndeshjen kundër Bologna.

Rezultate imazhesh për napoli ajax

Me të mbërritur me makinë pranë klinikës romane, Younes u prit nga drejtori i komunikitit të Napoli, Nicola Lombardo, si dhe nga disa tifozë, të cilët i kanë dhuruar menjëherë një shall. Në mëngjesin e të premtes, përpara nisjes nga Amsterdam, ai ka dhënë një intervistë për të përditshmen holandeze “De Telegraaf”: “Nëse largohesh nga Ajax, duhet të gjesh një klub që luan gati në të njëjtën mënyrë dhe për mua, Napoli është Ajax i Seria A. Skuadra luan mirë dhe sheshi është i nxehtë, fiks si te Ajax. Natyrisht do të duhet të ambientohem me vendin e ri dhe gjuhën, por ishte e njëjta gjë edhe kur u transferova nga Gjermania në Holandë”./telesport/