Kush mendonte se Napoli dëshiron të largojë Elseid Hysajn, është gabuar rëndë. Klubi italian jo vetëm që nuk ka ndër mend të heqë dorë nga mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, por është gati t’i rinovojë atij kontratën që ka me këtë klub, thuajse duke i dyfishuar rrogën që të arrijë në nivelet e futbollistëve më të mirë të Serisë A.

Mediat italiane raportojnë se në ditët në vijim, përfaqësuesit e lojtarit dhe ata të klubit do të ulen në tavolinën e bisedimeve për të zgjidhur çështjen e marrëveshjes së futbollistit, për ta zgjatur atë deri në vitin 2023.

Ideja e klubit është që të hiqet përfundimisht klauzola për transferimin jashtë Italisë për 50 milionë euro, shifër që është bërë mëse e përballueshme tashmë për thuajse çdo klub në Angli e që rrit rrezikun e largimit të lojtarit.

Nga ana tjetër, futbollistit do t’i rritet në mënyrë të ndjeshme rroga, duke e dyfishuar atë për të arritur standarde të cilat pak mbrojtës kanë në elitën e futbollit italian.

Nëse aktualisht Hysaj përfiton 1,2 milionë euro në sezon, ai pritet të ketë një rrogë prej 2,3 milionë euro neto duke filluar nga ky edicion, me një rritje graduale në vitet në vijim.

Në këtë mënyrë, edhe futbollisti do të ishte më i qetë për të ardhmen e tij dhe nuk do të tundohej nga ofertat e vazhdueshme që i kanë mbërritur në vitet e fundit, pasi është monitoruar nga klube të ndryshëm të cilët ishin të interesuar për të siguruar shërbimet e tij. /vipsport/