Karriera e Igli Tares si drejtor sportiv mund të marrë një kthesë shumë të rëndësishme gjatë kësaj vere.

Shqiptari i cili ka kthyer Lacion në një superfuqi në futbollin italian, edhe pse me një buxhet më të kufizuar, tani është në radarët e klubeve të tjera.

Nëse emri i tij qarkullon në radhët e klubeve si Milan e Inter prej dy sezonesh, është një tjetër gjigant i futbollit italian që e sheh atë si pjesë e një projekti të ri të mundshëm.

Portalet pranë klubit të Napolit kanë bërë të ditur se presidenti Aurelio De Laurentis ka piketuar pikërisht shqiptarin si pasardhës të drejtorit sportiv, Kristiano Guintoli, i cili po mendon largimin.

Mes palëve ka pasur kontakte në muajt e kaluar, por Tare ka bërë të ditur asokohe se kishte prioritet Lacion.

Kontrata e Tares me Lacion mbaron në fund të këtij sezoni dhe për momentin nuk është firmosur rinovimi mes palëve, ndonëse drejtuesi shqiptar ka ndërtuar një superskuadër e cila është shumë pranë objektivit të kthimit në Ligën e Kampioneve ku tashmë italianët luajnë të gjithë në fazën në grupe të turneut.

As te Napoli nuk është vendosur ende se çfarë do të bëhet me Guintolin, por De Laurentins është i ndërgjegjshëm se këtë verë shumë prej emrave të mëdhenj mund të largohen drejt skuadrave të tjera dhe për të nisur një projekt të ri, askush nuk është më i mirë se Tare.

Nëse pranon, këtij të fundit do t’i vihen në dispozicion financa të mjaftueshme për të ndërtuar një grup cilësor po aq sa ky ekzistues, pasi shitja e lojtarëve pritet të sjellë përfitime të mëdha për arkat e klubit. /vipsport/