Fabio Cannavaro foli gjatë në “Radio Anch’io Sport”. Këto janë konsideratat e tij, duke filluar nga momenti i shkëlqyer i Napolit dhe mundësia që blutë të jenë rivali kryesor i Interit në garën për titull: “Napoli ka një avantazh ndaj të tjerëve, sepse luan një herë në javë.

Ka shpenzuar shumë në merkaton e verës, ka nënshkruar me lojtarë të rëndësishëm. Unë luajta ndaj tyre tashmë me Udinese, pashë vlerat që posedonin si ekip. Sidoqoftë, Interin e shoh në avantazh për ta mbrojtur titullin, sepse ka një strukturë tashmë të sprovuar”.

Në Serie A janë shënuar pak gola nga sulmuesit, prej të cilëve pritet shumë: “Futbolli po vuan nga mungesa e sulmuesve të pastër, ka më shumë organizim, tani luajmë më shumë nga prapa. Megjithatë, mungojnë sulmuesit e së kaluarës”.

Cila do të jetë e ardhmja e Fabio Cannavaro: “Unë shpenzoj shumë kohë duke parë ndeshjet, është e drejtë të jem i përditësuar. Ideja ime është të përpiqem të rikthehem në stol. Jam duke pritur, e di që nuk është e lehtë, sepse ka shumë konkurrencë, por gjëja e rëndësishme është të jesh gati”./telesport/