4 fitore në 4, 12 pikë të plota. Bayern Munich është perfekt në këtë edicion të Champions League, kalon në raundin e 1/16 si kokë grupi pasi thyen edhe Gallatasary me rezultatin 2-1. Pas “tripletës” në fundjavë kundër Dortmund, Harry Kane zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe, udhëhoqi Bayern me një dygolësh duke vërtetuar edhe një herë ndikimin e madh që ka te ky ekip.

Bayern e nisi me një ritëm jo të lartë, thuajse në asnjë rast nuk arritën të gjenin prekjen fituese në fraksionin e parë, por historia ndryshoi totalisht në të dytën. Kane fillimisht goditi shtyllën me një zgjatje të bukur brenda në zonë. Gallatasary reagoi dhe në minutën e 61-të gjetën rrugën e rrjetës, por VAR ndali gjithçka për pozicion jashtë loje të Icardi-t.

Në minutën e 80-të, Kimmich shërbeu në zonë, gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi, aty ku Kane me kokë dërgoi topin në rrjetë. Fillimisht anësori ndali gjithçka për pozicion jashtë loje, por ishte VAR që konfirmoi golin e Kane. Gjashtë minuta më pas, Kane u shërbye në mënyrë perfekte në zonë, aty ku e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur duke dyfishuar shifrat. Gallatasary realizoi golin e nderit në shtesë, por pa mund t’i prishin ecurinë rekord Bayern-it.

Në përfundim të sfidës, Harry Kane u vlerësua lojtari i ndeshjes: “Ishte një natë e mrekullueshme, kjo fal edhe shokëve të ekipet, lojtarë të shkëlqyer që më krijojnë shanse të shënojë”, u shpreh Harry Kane.

Shijon këtë sukses edhe Thomas Tuchel, pavarësisht se në sytë e tij kjo nuk ishte ndeshja më e mirë: “Nuk ishim shumë agresivë në zonën e kundërshtarit, por kjo vjen edhe nga lodhja e madhe, por në përgjithësi jam krenar për paraqitjen e ekipit”, theksoi pas ndeshjes trajneri i Bayern Munich.
(BalkanWeb)