Një nga emrat më të shquar të historisë së boksit shkodran sigurisht që është edhe ai i Nazmi Halilit. Kampioni i vieve ’50, është dalluar për nivelin e shfaqur në ring ndonëse karriera e tij nuk vazhdoi shumë gjatë. Nazmiu u rrit në një familje me tradita të shquara sportive por edhe boksi, pasi vëllai i tij i madh, Shyqyriu, ishte edhe trajner edhe kujdestar për të. Ai e pati shumë pasion boksin dhe stërvitej shumë intensivisht duke fituar shumë nga shprehitë teknike të këtij sporti. Ka arritur të shpallet tre herë kampion i vendit, pikërisht në vitet 1954, 1955 dhe 1956. Emri i Nazmi Halilit u bë shpejt i njohur në të gjithë ringjet e vendit tonë. Dallohej në sulm, shumë i shpejtë në veprime dhe po aq i sigurtë në mbrojtje. Amatorët e boksit shkodran e kanë admiruar gjithnjë jo vetëm për teknikën e lartë të tij por edhe për korrektesën ndaj kundërshtarit sepse në asnjë ndeshje nuk ka shfrytëzuar dobësitë e tij.
Nazmi Halili u bë shpejt një nga boksierët më të mirë të vendit pas sukseseve të arritura në tre kampionate rradhazi. Jo më kot, shtypi i kohës do të shkruante shpeshherë për këtë sportist cilësor. Një ndër veçoritë e tjera me të cilat karakterizohej ky sportist, ishte edhe eleganca e tij në ring.
Por fati i tij ishte i mbartun edhe me luftën e klasave që rregjimi komunist i bënte atij në kuadrin e luftës kundër familjes Ymeraj- Halili.  Duke filluar nga Muhamet Halili që jetoi persekutimet e para të këtij rregjimi, edhe Nazmiu më gjithë talentin e tij nuk mundi t’i shpëtonte kësaj lufte. Ushtrinë e bëri në repartin e Punës por ai u arratis një ditë megjithatë arratisja e tij nuk zgjati shumë sepse agjentura titiste e solli sërish në Shkodër. Aty ku Nazmiu u burgos dhe nuk pa më një ditë të mirë në atë sistem.
Ka vdekur në moshën 59 vjeçare, në vitet e para pas ardhjes së demokracisë, pa arritur të shijojë ashtu si duhet ditët e lirisë. Megjithatë Nazmi Halili do të mbahet mend nga të gjithë sportdashësit si një nga boksierët më të mirë të Shqipërisë së viteve ’50.
Gjergj KOLA