Ashtu sikurse çdo fillim viti, Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka organizuar ceremoninë e ndarjes së stemave të FIFA-s për gjyqtarët meshkuj e femra për vitin 2023.

Pas përfundimit të seminareve teorike e fizike me të gjithë arbitrat dhe asistentët e kampionatit ‘Abissnet Superiore’, kjo e diel shënjoi edhe ditën e veçantë për gjyqtarët shqiptarë. Të pranishëm në këtë ceremoni të përvitshme ishin veç arbitrave e asistentëve edhe Presidenti i BASHF-së, Tahir Kastrati si edhe instruktori i UEFA-s, Costa Kapitanis.

Në fjalën e tyre përshëndetëse, Presidenti i BASHF-së, Tahir Kastrati, si edhe shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, përshëndetën punën e gjyqtarëve, duke i uruar suksese në vijim si edhe i këshilluan të jenë të drejtë dhe profesionalë në fushën e lojës.

Tre emra të rinj nga arbitrimi shqiptar pajisen me stemën e FIFA-s. Edhe pse Enea Jorgji e Juxhin Xhaja janë të pajisur prej vitesh tashmë me stemën e FIFA-s si arbitra kryesorë, duke gjykuar edhe ndeshje të rëndësishme në Europë, ata janë pajisur tashmë edhe me stemën e FIFA-s si Video Match Official (VAR). Këtyre dy emrave të rëndësishëm të arbitrimit shqiptar i shtohet edhe emri i arbitrit Kreshnik Bajramaj, i cili gjithashtu është pajisur me stemën e FIFA-s si VAR.

Gjithashtu, Sektori i Arbitrimit në FSHF, bazuar edhe në performancën e arbitrave shqiptarë gjatë këtij sezoni futbollistik, si edhe për t’i motivuar ata të vijojnë të punojnë me të njëjtin përkushtim ka ndarë dy çmime për arbitrin dhe asistentin e perspektivës për sezonin futbollistik 2021-2022. Florian Lata u përzgjodh si arbitër i perspektivës ndërsa Xhulio Mani u vlerësua si asistent i perspektivës.