Sporti shkodran dhe ai shqiptar kanë humbur një tjetër emër të njohur. Atë të shahistit Çesk Jubani i cili është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm në moshën 82 vjeçare. Një njeri i dashur për të gjithë dhe padyshim që mungesa e tij do të jetë e madhe tek familja, shokët, miqtë dhe kolegët e tij.

Ai ka lindur në Shkodër në vitin 1935 dhe që në moshë të vogël do të merrej me sportin e shahut. Më vonë, ka qenë për shumë vite me rradhë një nga emrat e njohur të këtij sporti jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri. Pas lënies së sportit, për disa vite me rradhë ka qenë edhe trajner i ekpit të Vllaznisë ndërkohë që me krijimin e shoqatës së shahut në Shkodër, u pat zgjedhur edhe president i saj. Çesk Jubani do të kujtohet nga të gjithë dhe jo vetëm si sportist por edhe si mësues shumë i pasionuar i lëndëve matematikë- fizikë. Por, karriera e tij nuk do të mbetej me kaq pasi ka qenë i angazhuar edhe në shumë role në teatrin “Migjeni” si aktor. Në jetën e tij ka patur dhe jo pak vuajtje si pasojë e perndjekjes që i ka bërë sistemi komunist duke e dënuar me disa vite burg megjithatë ia ka dalë të ruajë vlerat e tij njerëzore dhe sportive. Humbja e tij padyshim që do të ndihet mjaft jo vetëm nga familja por edhe nga mbarë ambjenti sportiv dhe jo vetëm i Shkodrës. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Jubani për humbjen e njeriut të saj të dashur. I përjetshëm qoftë kujtim yt!

© shkodrasport.com