Pak ditë më parë është ndarë nga jeta në moshën 73 vjeçare ish- boksieri dhe gjyqtari i boksit Fadil Zhega. Emri i tij për vite e vite me rradhë ka qenë shumë i njohur në ringjet shqiptare. E ka nisur karrierën me ekipin e Vllaznisë, për të vazhduar më pas edhe me Partizanin gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak. Por ndërprerja e këtij sporti nga pushteti në fuqi, ka bërë që ëndërra e Fadilit dhe e shumë të tjerëve për ta vazhduar atë, të mbetej në mes. Megjithatë atë që nuk e arriti si sportist, e arriti si gjyqtar. Menjëherë pas viteve ’90, është rikthyer tek sporti i dashur i rinisë, por tashmë në një pozicion tjetër, të cilin e ka ushtruar për disa vite me rradhë duke qenë një nga më të mirët në Shqipëri. Pasionin për boksin, ai arrin t’ia ushqejë edhe njërit prej djemve të tij, pikërisht Erjonit i cili do të spikaste shumë shpejt me talentin e tij, madje në vitin 2000 do të shpallej edhe kampion i Shqipërisë me të rriturit. Karriera e tij do mbyllej shpejt për shkak të angazhimeve të tjera megjithatë Fadili do ishte gjithnjë pranë ringut si gjyqtar. Kuptohet, pasioni i tij për sportin nuk ishte rastësi. Familja Zhega është shumë e njohur për këtë gjë teksa pjesë e saj ka qenë edhe i vëllai i Fadilit, kampioni i madh i futbollit Medini. Në rrethana të tilla, natyrisht që vdekja e Fadilit ka qenë një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij por edhe për opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë. Gazera “Shkodra Sport” me kete rast i shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes se tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!