Ish-komentatori sportiv i Radio-Tiranës, Aleko Gjergjo, është ndarë sot nga jeta në moshën 77-vjeçare. Sipas informacioneve që kanë përcjellë familjarët, gazetari i njohur sportiv vuante nga një sëmundje e rëndë.

Aleko Gjergo do të mbetet në kujtesë jo vetëm si gazetar i njohur sportiv, por edhe autor i disa librave dhe disa përkthimeve. Ai u lind më 23 nëntor 1943, ndërsa për një pjesë të madhe të kohës, Gjergo ka qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë të emisionit më të ndjekur sportiv të Radio-Tiranës, “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Transmetimet e tij, sigurisht janë pjesë e fondit të artë të radiokronikës tonë, ndërsa zëri i tij i ngrohtë ofronte gjithmonë mendimin objektiv dhe gjithnjë të paanshëm, por edhe shumë të thjeshtë. Përtej pasionit të tij për sportin, Gjergo ka spikatur edhe për veprimtarinë e pasur në fushën e publicistikës historike dhe në atë të përkthimeve.

Ai gjithashtu është autor i botimeve sportive, siç ishte libri i tij, “Evoluimi i radiokronikës së futbollit në vitet ‘90”. Gjergo do të mbahet mend edhe si një politikan i spikatur i të djathtës tradicionale shqiptare.

Gazeta “Shkodra Sport” shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të një bashkëpunëtori të vyer dhe i shpreh ngushëllimet familjes së Aleko Gjergos.