Ndahet nga jeta ish-atleti i Vllaznisë Gjon Rudi
Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare ish-atleti i Vllaznisë Gjon Rudi. Vdekja e tij natyrisht që është një humbje për atletikën shkodrane megjithatë ajo çfarë ka dhënë ai për këtë sport, do të kujtohet gjatë në vite. Rudi kujtohet nga të gjithë si një nga maratonistët më të mirë të Shqipërisë në vitet ’60 teksa gjithnjë është vlerësuar për rendimentin e tij të lartë në gara por edhe për cilësinë sportive. Pas lënies së sportit, ai është aktivizuar rregullisht në garat e veteranëve duke marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare ku ka marrë edhe medalje të ndryshme. Shoqata e veteranëve të atletikës shkodrane dhe kryetari i saj Arben Mlloja, me rastin e ndarjes nga jeta të Gjon Rudit, i shprehin ngushëllimet e sinqerta familjes së tij duke kujtuar edhe njëherë tjetër se vdekja e tij është një humbje e madhe për atletikën shkodrane.