Mesditën e dates 8 janar është përcjellë për në banesën e fundit ish- futbollisti i Vllaznisë Hajrullah Lekaj. Ai është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare. Gjendja e tij shëndetësore kohët e fundit nuk ka treguar ndonjë shqetësim të madh por hemoragjia cerebrale që e ka prekur nje ditë më parë, i ka marrë jetën para kohe. Lekaj njihet nga të gjithë si një nga pjestarët e një brezi të shkëlqyer futbollistësh të Vllaznisë së viteve ’60- ’70 teksa në rradhët e saj ka arritur të fitojë Kupën e Republikës në vitin 1965, titullin kampion dhe Kupën në vitin 1972, Kampionatin sërish në vitin 1974, trofe në të cilët ai ka patur një kontribut të jashtëzakonshëm.


Ka luajtur futboll deri në vitin 1975 duke u shquar si një nga mbrojtësit më të mirë jo vetëm të skuadrës shkodrane por edhe të kampionatit shqiptar. Hajrullah Lekaj do të mbahet mend gjatë nga sportdashësit shkodranë për mobilizimin shumë të madh që shfaqte në fushën e lojës. Kolegë e miq të tij natyrisht që janë ndjerë keq kur kanë mësuar për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta para kohe të tij. Për rrjedhojë, mesditën e djeshme ata, bashkë me qindra e qindra qytetarë shkodranë, kanë qenë të pranishëm pranë familjes Lekaj për t’i dhënë lamtumirën atij. “Nuk mund ta besoj që Hajroja, me atë trup të bëshëm dhe më atë shëndet që kishte, na la. Ndjehemi shumë keq sepse kemi patur një shoqëri shumë të mirë me të, si gjatë kohës që jemi marrë me sport ashtu edhe pas saj”- thotë Zyhdi Basha. I hidhëruar është parë një tjetër koleg i Lekajt, Çesk Ndoja. Për fat të mirë, ai sapo kishte ardhur nga Gjermania ku jeton prej vitesh me familjen e tij dhe ka rastisur në Shkodër, për t’i dhënë lamtumirën një kolegu të tij të mirë.”Ndjehem keq kur më duhet të përcjellë për në banesën e tij një njeri si Hajrullah Lekaj që ka qenë shembull për të gjithë ne me sjelljen e tij megjithatë kështu e paska jeta dhe duhet t’i qëndrojmë pranë familjes së tij në këtë moment të vështirë”- është shprehur Ndoja. Edhe Rauf Çanga, një tjetër ish- futbollist i Vllaznisë së viteve’60-  ’70 dhe bashkëkohës i tij ka shprehur keqardhjen për humbjen e këtij miku dhe kolegu duke thënë: “Me Hajron kemi qenë sëbashku që në vitin 1962 dhe kemi jetuar shumë momente të lumtura. Kuptohet që sot e kemi të vështirë t’i japim lamtumirën sepse nuk po e kuptojmë sesi ka mundësi që një njeri me trup të tillë të shëndetshëm ta mposht sëmundja për vetëm tre ditë megjithatë kështu paska qenë e shkruar”. Të pranishëm kanë qenë edhe shumë veteranë të tjerë të sportit ndërkohë që nuk ka munguar edhe një kurorë nga klubi i futbollit Vllaznia të cilit ai i ka shërbyer për vite me rradhë.
Gjergj Kola