Sporti shkodran sot i ka dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave të shquara të tij në vite, volejbollistit të njohur Aleksander Paloka. Ai paraditen e sotme është përcjellë për në banesën e fundit pikërisht në moshën 69 vjeçare. Sandri do të mbahet mend gjatë nga bashkëkohësit e tij por edhe tifozët e shumtë të këtij sporti, si një volejbollistët më të mirë të viteve ’60’-70. Karriera e tij ka nisur herët, i pikasur nga trajneri Tonin Bianku dhe më pas, në vitin 1965 do të kalonte tek ekipi i parë i Vllaznisë. Një vit më vonë, do të kalonte tek Partizani me të cilin luan për dy vite me rradhë teksa kryen edhe shërbimin ushtarak dhe menjëherë pas përfundimit të tij kthehet sërish në Shkodër duke luajtur për skuadrën e qytetit të tij deri në vitin 1976 kur i jep fund karrierës shumëvjeçare.
Gjatë këtyre viteve, ai në momente të ndryshme ka kontribuar edhe për ekipin e Dinamos. Gjatë këtyre viteve ka spikatur me talentin e tij dhe jo më kot ka qenë edhe anëtar i ekipit kombëtar të volejbollit duke marrë pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian në Stamboll në vitin 1967, në eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 1970 që u zhvilluan në Sofje etj. Për një vit ka qenë edhe trajner i ekipit të Vllaznisë, pikërisht në sezonin 1976-77. Sander Paloka është nderuar edhe me tiullin “Mjeshtër Sporti” për këtë kontribut të dhënë në vit në këtë sport.Natyrisht që Sander Paloka ka lënë pas një emër shumë të mirë. Një respekt të madh tek të gjithë ata që e kanë njohur dhe jo më kot, kolegët e tij të volejbollit i kanë dhënë lamtumirën sot shokut të tyre duke folur me superlativa për të si sportist por edhe si njeri.
“Ka qenë një njeri shumë i mirë, shumë i dashtun dhe gjithmonë me humor.Si sportist është dalluar sepse ka patur një karakter të fortë në fushën e lojës dhe kërkonte medoemos të fitonte çdo ndeshje. Edhe fiziku i tij ishte i tillë që e ndihmonte për të dalë shpeshherë fitimtar mbi kundërshtarin. Unë e kam konsideruar gjithmonë një volejbollist të lindur sepse kishte fizikun e duhur për këtë sport por edhe inteligjencën e duhur për të”- ka thënë ish- kolegu i tij Viktor Jubani. Ndërkohë Mark Kroqi, aktualisht drejtor i sportklub Vllaznia por edhe një ish- volejbollist i njohur i saj është shprehur kështu për këtë humbje: “Sandri ka qenë për ne sportist, trajner, mësues dhe prind i shkëlqyer. Ai ka qenë pjestar i një brezi të shkëlqyer bashkë me Ali Bushatin, Viktor Jubanin, Mihail Sterkiç (Lashova), Irfan Boriçin, Agustin Gjonin, Tonin Fistanin, Xhelal Haxhin, Nasho Bakallin etj, duke ndihmuar shumë në rritjen cilësore të këtij sporti.
Gjergj KOLA