Sporti shkodran humbet një tjetër kampion, Rasim Krajën. Atleti i shkëlqyer, kampioni dhe rekordmeni i garave të sprintit në vitet ’60- ’70, i ka dhënë lamtumirën familjes, shokëve dhe kolegëve të tij pikërisht në moshën 75 vjeçare. Natyrisht që ka lënë pas një karrierë shumë të suksesshme.
I përket një brezi të shkëlqyer sportistësh të klubit Vllaznia por edhe të kombëtares shqiptare të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti. Rasim Kraja ka lindur në Shkodër në vitin 1942 dhe me atletikë nis të merret herët dhe me kalimin e viteve do të profilizohej në garat e shpejtësisë. Trajneri i tij Feti Dizdari duke parë aftësitë e këtij sprinteri i ka dhënë shumë besim dhe ai ia ka shpërblyer. Mbahet mend si një nga sprinterët më të mirë të Shqipërisë për ato vite kur ka zhvilluar karrierën e tij teksa i ka bërë 100 metrat për 10″7. Ka konkurruar edhe në 200 m si dhe në stafetën 4 x 100 m përkrah emrave të tillë si Vildan Tufi, Enver Dervishi, Bozho Hajko etj. E po ashtu edhe në kombëtare përkrah Bashkim Paçramit, Tomi Stefanllarit dhe Anastas Bunecit. Për disa vite me rradhë ka qenë kampion në këto disiplina dhe ka thyer edhe rekorde. Pas lënies së sportit, Rasimi për disa vite ka ushtruar edhe detyrën e trajnerit pranë Klubit Vllaznia. Nga duart e tij ka nisur karrierën një nga atletet më të mira të vendit, Arbana Xhani. Në familjen Kraja nuk ka patur vetëm një kampion pasi bashkëshortja e tij ka qenë edhe ajo vetë një kampione e atletikës, Mimoza Meta (Kraja). Ndarja nga jeta e tij sigurisht që është një humbje e madhe për të gjithë familjen por edhe për komunitetin e sportit shkodran dhe atij shqiptar. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të saj të dashur. I përjetshëm qoftë kujtimi yt kampioni Rasim Kraja!
Gjergj KOLA