Legjenda e peshave të rënda të boksit, George Foreman, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. I njohur si “Big George” në ring, amerikani ndërtoi një nga karrierat më të shquara dhe më të qëndrueshme në këtë sport, duke fituar medaljen e artë olimpike në vitin 1968 dhe duke pretenduar dy herë titullin botëror në peshën e rëndë.

Ai humbi titullin e tij të parë ndaj Muhammad Ali në ndeshjen e tyre të famshme “Rumble in the Jungle” në 1974. Por karriera profesioniste e Foreman shënon 76 fitore, përfshirë 68 nokaut, pothuajse dyfishi i asaj të Aliut. Ai u tërhoq nga sporti në vitin 1997. Lajmin për ndarjen nga jeta e dha familja e tij.

“Zemrat tona janë thyer. Një predikues i devotshëm, një bashkëshort i përkushtuar, një baba i dashur dhe një gjysh krenar dhe stërgjysh, ai jetoi një jetë të shënuar nga besimi, përulësia dhe qëllimi i palëkundur. Një humanitar, një olimpik dhe dy herë kampion i botës në peshat e rënda. Ai ishte thellësisht i respektuar, një njeri me disiplinë, bindje dhe një mbrojtës i trashëgimisë së tij, duke luftuar pa u lodhur për të ruajtur emrin e tij të mirë – për familjen e tij”, thuhet në njoftimin e familjes së Foreman.

Foreman lindi në Marshall, Teksas, më 10 janar 1949 dhe fitoi medaljen e artë në peshën e rëndë në Lojërat Olimpike të vitit 1968 në Mexico City, në moshën 19-vjeçare, përpara se të bëhej profesionist dhe të fitonte 37 ndeshje radhazi. Ai humbi vetëm pesë ndeshje gjatë karrierës së tij.