Atletika shkodrane dhe ajo shqiptare, dje ka humbur një nga pioneret e saj. Bëhet fjalë për të madhen Marije Rranxi e cila është ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare. Ajo do të mbahet mend gjatë për suksesin e padiskutueshëm, për titujt e shumë kampion dhe rekordet që ka thyer.Ka qenë gushti i vitit 1946 kur filloi jeta sportive e femrës në kampionatin kombëtar të atletikës. Krahas meshkujve, për herë të parë do merrnin pjesë edhe pak vajza dhe emrat e parë që gjenden janë ato të Marije Rranzit, Gjyltere Pipës etj, të cila janë femrat e para të marra me këtë sport.


 

E kur don të mësosh më shumë për këto suksese të femrës shkodrane në këto vite, natyrisht që nuk mund të kalosh kurrsesi pa përmendur emrin e Marije Rranzit që mund të konsiderohet “pionerja e sportit shkodran” e cila sakrifikoi rininë por ndoshta është mirë të themi, edhe jetën e saj për sportin. Sukseset e para ajo i ka që në vitin 1946 kur shpallet kampione kombëtare në garën e 100 metrave. Natyrisht që në këtë periudhë nuk mund të pretendoje për gara me cilësi, për start apo finish. Në Ballkaniadën e vitit 1946, mori pjesë edhe Marije Rranzi sëbashku me shoqet e saj, Shpresën, Violetën, Gjylterin, Anetën e Salimenë. Marija u aktivizua në farën e 100 m vrapim (ku doli në finale) si dhe në kërcim së gjati duke patur rezultate të mira. Këto suksese i çelën rrugën asaj për të marrë pjesë edhe në Ballkaniadën e vitit 1947 që u zhvillua në Rumani.

Rezultatet e saj erdhën nga viti në vit duke u rritur deri në vitin 1958, kohë kur ajo vendosi të ndërpresë karrierën e saj sportive. Gjatë kësaj periudhe ajo ka marrë disa tituj kampionë sëbashku me shoqet e saj si Lajde Koja, Kjara Paci (Vuksani), Sebije Quku, Shaqe Nika etj, nën drejtimin e të madhit Feti Dizdari që për 25 vjet drejtoi atletikën në Shkodër duke i dhënë qytetit të lindjes për 16 vjet rradhazi titullin kampion. Biografia sportive e Marije Rranzit pasurohet kur mëson se kjo vajzë që në moshë të re, u aktivizua jo vetëm në atletikë por edhe në volejboll gjatë viteve 1949-1957 duke marrë edhe 2 tituj kampioni. Emrin e saj do ta gjenim edhe në ekipin e basketbollit të femrave të Vllaznisë ku nderon jo vetëm ngjyrat e ekipit shkodran por edhe të atij përfaqësues në Festivalin e Rinisë në Moskë. Për të gjitha këto merita dhe suksese, Marije Rranzi mban titullin “Mjeshtre e Merituar e Sportit”. Pas lënies së sportit, Marije Rranzi do të vazhdonte të ishte pranë tij, tashmë në rolin e mësueses së edukimit fizik në shkollat e mesme ku ajo punoi për përgatitjen e elementit të ri që do të mbushte rradhët e ekipeve të Vllaznisë në atletikë apo dhe në basketboll. Por dje, Marija na ka dhënë lamtumirën. Të gjithë ne njerëzve të sportit. Duke lënë pas gjithsesi një emër shumë të madh. Redaksia e gazetës “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Rranxi dhe Gurakuqi për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Varrimi i kampiones dhe rekordmenes së madhe të atletikës, është bërë sot në orën 11. 00 në varrezat “Rrmaj” të qytetit të saj të lindjes.
Gjergj KOLA