Paraditen e së hënës është përcjellë për në banesën e fundit ish- mundësi dhe ish- trajneri I Vllaznisë Isa Vejuka. Ai është ndarë nga jeta në mënyrë të parakoshme në moshën 66 vjeçare duke mos I rezistuar dot sëmundjes dhe duke lënë pas një hidhërim të madh tek familja e tij por edhe tek shokët dhe kolegët e sportit. Shumë prej tyre kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit të tij dhe për gazetën shkodrasport.com kanë shprehur konsideratat më të larta për Isa Vejukën si sportist dhe si njeri I shkëlqyer. Me superlativa kanë folur Besnik Pirani, Tasim Rexha, Pal Marku etj të cilët kanë vlerësuar lart figurën e kolegut të tyre dhe njëkohësisht kanë shprehur keqardhjen për humbjen e parakohshme të tij. Isa Vejuka ka qenë një nga mundësitë më të spikatur të Vllaznisë së viteve ’70 teksa ka arritur të shpallet edhe dy herë kampion I Shqipërisë në vitet 1975 dhe 1979 ndërkohë që në fundin e viteve ’80 ka punuar edhe si trajner I ekipit të Vllaznisë duke spikatur për punën e tij shumë profesionale. Ka mbajtur titullin “Mjeshtër Sporti”, si rezultat i kontributit të madh të dhënë për këtë sport. Gazeta SHKODRA SPORT I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Vejuka për humbjen e njeriut të saj të dashur dhe po ashtu edhe klubit Vllaznia për humbjen e një kampioni.

Gjergj KOLA