Kanë kaluar 55 ditë nga fitorja e fundit e Laçit në kampionat, pikërisht në javën e parë ndaj Teutës më 21 gusht, kur e nisën sezonin me triumfin 3-1.

Që prej asaj ndeshjeje, skuadra e Dejan Vukiçeviçit nuk ka ngritur më kokë, teksa pësoi pesë humbje radhazi dhe vetëm së fundmi mori një pikë kundër Tiranës kampione në fuqi në “Selman Stërmasi”.

Barazimi 3-3 në kryeqytet ka ngritur jo pak moralin e kurbinasve, që të dielën presin Vllazninë në fushën e tyre dhe do të kërkojnë rikthimin te fitorja pas plot një muaji e gjysmë vuajtjesh.

Skuadra duket e karikuar dhe seancat e kësaj jave, të cilat janë zhvilluar në kompleksin “Internacional” në Pezë, kanë shkuar sipas parashikimeve të stafit teknik.

Rikthim i rëndësishëm për trajnerin Vukiçeviç është sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili luajti 25 minuta në ndeshjen e Kupës ndaj Devollit.

Gradualisht shtatlarti po merr veten pas problemeve fizike që ka pasur këtë periudhë dhe gjasat janë që ndaj Vllaznisë të aktivizohet në pjesën e dytë.

Probleme fizike kanë pasur edhe sulmuesi serb, Xhorxhe Ivkoviç, e gjithashtu lojtari i krahut të majtë, Renato Ziko.
Gjithsesi, ndaj Vllaznisë me shumë mundësi do të jenë në dispozicion për herë të parë këtë sezon të gjithë lojtarët, duke lënë pas kështu problemet e shpeshta fizike që kanë pasur shumica e tyre në këtë periudhë.

Vukiçeviç pritet t’i besojë formacionit që barazoi ndaj Tiranës, me dilemën e vetme që lojtarë si Babatunde, Spahiu dhe Peterman, kanë shtuar konkurrencën në mesfushë dhe janë gati për një fanellë titullari.

Laçi do të rreshtohet me skemën 4-4-2, ku kapiteni Mazrekaj do të jetë më afër Adelekes. Megjithatë, në varësi të lojës, Laçi mund të ndryshojë variantin taktik, duke kaluar edhe në 4-2-3-1 apo 4-3-3.