19 vjeçarët shkodranë janë ndalur sot në ndeshjen e parafundit të kampionatit.
Ato janë mundur në Tiranë nga Partizani me rezultatin 2-1 megjithatë kjo humbje nuk ia ndërlikon atyre pozitat për vendin e parë që e kanë siguruar që javën e kaluar.
Ndeshja është luajtur sot në kryeqytet dhe për Vllazninë nuk kishte shumë rëndësi.
Trajneri Zmijani thjesht po i shfrytëzon këto ndeshje të fundit për të testuar skuadrën në prag të sfidave më të rëndësishme të sezonit, ato të plej-ofit.
Në minutën e 11-të të ndeshjes së sotme, të kuqtë kanë fituar një 11-metërsh që është kthyer në gol nga Haxhiu.
Por në minutën e 29-të do të ishte Elmir Lekaj që do të barazonte për kuqeblutë. Megjithatë barazimi ka zgjatur vetëm një minutë sepse Çela ka shënuar golin e dytë për Partizanin.
Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Në të dytën u prit një reagim i Vllaznia U-19 por në minutën e 49-të Rahova do të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë edhe të kuqin duke e lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak.
Pavarësisht kësaj, shkodranët kanë tentuar deri në fund të barazojnë por nuk ia kanë dalë.
Gjithsesi, ka qenë një humbje që nuk ka shumë rëndësi. Të dielën luhet në Shkodër ndeshja e fundit e fazës së tretë, ajo ndaj Shkëndisë.
© shkodrasport.com