Opinion nga Redan BUSHATI

O mjeranë, o sharlatanë, o ditëzinj: “Lodheni kot, se Shqipërinë se shkallmoni dot!”
Përdorni sa të doni shantazhin, kërcënimet, dhunën verbale e fizike, por zemrat tona assesi nuk mund t’i trembni, frikësoni, t’i tjetërsoni. Ata ulërasin me sa fuqi kanë: “Rroftë e qoftë Shqipëria Etnike!”

Vetëm në një vend të botës ndodh që policia e shtetit rreh, keqtrajton dhe abuzon me qytetarët e saj, bashkëkombasit e vet. Vetëm në një vend të botës që quhet Shqipëri ndodh që tifozët të ndalohen të shpalosin banderolat dhe pankartat e tyre, kur në to shkruhet jo më tepër se kaq: “Rroftë Shqipëria”. Vetëm në Shqipërinë e sotme ndodh që institucioni i futbollit (FSHF) apo institucionet shtetërore të ndalojnë tifozët të brohorasin për ngjyrat e kombit të tyre. Vallë jeni shqiptarë edhe ju si ata që sot ishin në stadiumin e «Laçit» apo jo? Vallë ju bashkon gjësendi me gjakun e këtyre që e duan fanellën kuq e zi, apo jo?
TURP! Turp më tepër për median, sidomos atë sportive, nëse nesër me titull kryesor nuk trumbeton ngjarjen e ulët, ku shqiptari i “ndotur” me uniformë ndalon shqiptarin qytetar ta dojë e ta çmojë vendin e tij.
Mirënjohje grupeve të tifozëve “Ultras Divas” dhe “TKZ” për mbështetjen që i dhuruan Shqipërisë U-21 në ndeshjen e sotme ndaj Maqedonisë! Në humnerë vafshin “fashistët” e rinj të Shqipërisë!