Ndërprerja e kampionateve për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi nuk ka krijuar probleme vetëm për ekipet e futbollit që siç është bërë publike, dy ditë më parë i janë drejtuar Qeverisë për mbështetje financiare.
Por në fakt, pasojat e kësaj situate nuk po i vuan vetëm futbolli por edhe për sportet e tjera. Sidomos tek disa prej ekipeve të basketbollit, kjo gjë është ndier shumë dhe në mes tyre është edhe Vllaznia.
Pjesë e saj siç dihet janë një numër i konsiderueshëm të huajsh të cilët ndonëse kampionati është ndërprerë, vazhdojnë të paguhen dhe kjo padyshim që ka ndikuar jo pak në financat e presidentit të Vllaznisë Alban Xhaferi i cili do të ketë një kosto të madhe nga kjo ndërprerje.
Aktualisht pjesë e Vllaznisë së basketbollit të meshkujve janë amerikanët Thomas Devonte, Justin Roos, Jordan Martin dhe Colin Voos. Po ashtu edhe kanadezi Jaylen Babb- Harrison, boshnjaku Amar Barukçija, serbi Nikola Vujoviç dhe malazezi Petar Kusovav. Ashtu siç është i huaj edhe trajneri malazez Darko Vujaçiç. Pra, plot 9 të huaj të cilët kanë pagesa të konsiderueshme dhe natyrisht që kjo ka ndikimin e vet tek klubi i basketbollit Vllaznia.
Për këtë arsye, nëse Qeveria vendos që të ndihmojë edhe sportin dhe kryesisht futbollin, nuk duhet të lërë pas dore as basketbollin sepse në rast se nuk ndodh kështu, ky sport do ta pësojë jo pak. Në Kosovë në fakt e kanë gjetur zgjidhjen. Sapo kampionati është ndërprerë, të gjithë ekipet kanë liruar basketbollistët e huaj duke ndërprerë kontratat me ta sepse nuk mund t’i përballojnë kostot financiare. Në Shqipëri nuk ka ndodhur kështu dhe kjo prandaj mund të ketë ndikimin e vet tek ekipet.
© shkodrasport.com