Dy emra të mëdhenj të Shkodrës por edhe të Shqipërisë, Rrok Shestani e Selami Ibrahimi janë nderuar në një aktivitet të zhvilluar nga shkolla 9-vjeçare “Dituria” e cila ka marrë përsipër një mision që nuk e shohim shumë shpesh, nderimin e figurave nga fusha të ndryshme që kanë kontribuar për vendin. Kësaj radhe është menduar për emra të shquar si Rrok Shestani e Selami Ibrahimi.
Të dy janë fitues të disa Kampionateve në vend si dhe rekordmenë Kombëtar. E veçanta e këtij aktiviteti është se të pranishëm kanë qenë fëmijë por edhe të rinj të cilët kanë patur mundësinë të njihen me veprimtarinë dhe arritjet e suksesshme të dy prej notarëve më të mirë të Shkodrës e Shqipërisë. Përveç shumë emrave të njohur nga Shkodra, ka marrë pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit Femi Alliu. Ai ka folur për të dy notarët me superlativa. “I kam njohur personalisht të dy. Do të kujtoj notarin e shkëlqyer Selami Ibrahimi kur ka zhvilluar sportin e bukur të notit. Ka qenë një sportist që duke patur parasyh se Durrësi kishte notar të mirë, në kohën kur doli Selami Ibrahimi në skenën e notit, të gjithë notarët filluan të frikësoheshin dhe nisën të largohen nga garat ku merrte pjesë Selamiu. I tillë ka qenë ai si notar. Edhe Rrok Shestanin e mbaj mend si një notar shumë cilësor. E filloi karrierën e tij me stilin flutur për të kaluar në stilin bretkosë. They disa rekorde Kombëtare. Në stilin e tij ka qenë perfekt dhe ndoshta që atëherë e deri tani nuk ka arritur askush ta imitojë në stilin e tij. Shkodra ka prodhuar gjithmonë notarë të mirë dhe jo më kot ka qënë 6 herë Kampion Kombëtar. Shkodranët kanë patur disa rekorde Kombëtare në gara të ndryshme. Kjo ecuri pozitive vazhdoi deri në vitin 1991, pastaj edhe noti kapi atë rënien e vet. Si pasojë, sot thuajse kushtet për të bërë not në Shkodër nuk ekzistojnë, por falë mjeshtrit shkodran të sportit Enver Muriqi dhe Halim Zaganjori është mbajtur gjallë sporti i notit. Edhe këto vite Shkodra ka marrë pjesë në gara, kanë arritur rezultate por jo ato të notarëve si Selami Ibrahimi e Rrok Shestani. Duke u nisur nga kushtet e vështira dhe mungesa e terreneve të përshtatshme duhet thënë se rezultatet janë pozitive. Në këtë mënyrë ky takim le të shërbejë edhe për të sensibilizuar opinion, duke filluar që nga organet drejtuese të Shkodër e më tej për ta riaktivizuar edhe njëherë sportin e notit ashtu siç e meriton Shkodra sepse mundësitë për një gjë të tillë janë” – ka deklaruar Alliu. Më tej aktiviteti ishte ideuar në formën e një dialogu mes nxënësve dhe panelit të notarëve elitar dhe profesorëve të këtij sporti në Shkoder të cilët shfaqen emocione të veçanta përballë këtij nderimi dhe kurioziteti të fëmijëve të vegjël. Në sallë janë ekspozuar medaljet, Kupat, fletëlavdërimet, fotografi të atyre viteve të suksesshme në momentet kur Selami Ibrahimi e Rrok Shestani kanë arritur të jenë shpesh herë në piedestalin e aktiviteteve Kombëtare. Rrok Shestani rrjedh nga një familje me tradita në sportin e notit ndërsa Selami Ibrahimi cilësohet si një nga rekordmenët më të mirë teksa gjatë karrierës së tij ka arritur të thyej 107 rekorde Kombëtare.