Ndeshja miqësore Kastrioti- Vllaznia nuk është luajtur deri në fund. Ajo është ndërprerë në minutën e 56-të pasi në fushë ka ndodhur një dëmtim i rëndë i futbollistit të Kastriotit Gjini i cili pas një përplasje me Smajlin e Vllaznisë ka thyer këmbën.

Si rrjedhojë e kësaj, të dy stafet e të dy ekipeve njëzëri kanë vendosur që ndeshja të mos vazhdonte më. Ndërkohë futbollistët e Vllaznisë dhe të Kastriotit janë munduar t’i gjenden pranë kolegut të tyre të dëmtuar rëndë dhe e kanë futur me barrelë në autoambulancë e cila e ka dërguar pastaj në spital.

Si rrjedhojë e këtij dëmtimi, rezultati i ndeshjes në fakt nuk vlen shumë, megjithatë duhet thënë se Vllaznia deri në momentin e ndërprerjes së ndeshjes po udhëhiqte me rezultatin 1-0.

Golin e vetëm të takimit e ka shënuar sulmuesi brazilian Victor Da Silva në minutën e 44-të pas një topi të bukur të marrë në zonë nga Hoxhaj dhe përballë portierit kundërshtar nuk ka ngurruar ta dërgojë atë në rrjetë.