Legjenda e futbollit korçar, Teodur Vaso ka humbur jetën në moshën 82-vjeçare. Ai humbi jetën mëngjesin e sotëm.Gjatë karrierës së tij futbollistike ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ka qenë përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën Partizani dhe tre me skuadrën korçare.
Teodor Vaso lindi në 15 shtator të vitit 1941, në qytetin e serenatave, në Korçë. Teodor Vaso, heroi i përfaqësueses shqiptare që do të mbahet mend gjatë për ndeshjen e vitit 1967, ku luajti për 30 minuta me këmbë të vrarë dhe të enjtur kundër Republikës Federale Gjermane.
Lojtari i madh do të kthehej në një figurë të njohur në futbollin shqiptar, pasi para prapavijës ishte i pakalueshëm. E nisi karrierën si atlet në vitin 1955 ndërsa më vonë u fut në futbolli me ekipin e Dinamos.
Kaloi te Partizani, për të vijuar me 17 Nëntorin e në fund me Skënderbeun. Ishte titullar i padiskutueshëm i kombëtares shqiptare që kishte në krye trajnerin, të madhin Loro Boriçi. Me kuqezinjtë ka zhvilluar 8 ndeshje ndërkombëtare dhe 10 takime miqësore.