Stadiumi “Arena Kombetare” u hap të dielën e shkuar për publikun e gjerë. Të parat që shkelën në tapetin e blertë ishin ekipet e femrave të Vllaznisë dhe Apolonisë, që dhuruan një ndeshje emocionuese.

Ndeshja testuese në prag të takimit kualifikues me Francën në 17 nëntor për Euro 2020, zbuloi edhe disa të “meta” që pritet të zgjidhen në kohë. Problemi kryesor duket se mbetet fusha, që nuk ka ende cilësinë e pritur, kjo si shkak i kohës së mbjelljes.

Një tjetër “difekt” është edhe pjesa e mbulesës mbi tribunën VIP, pasi siç shihet edhe nga foto shiu mund të lagë të pranishmit në një pjesë të saj. Është gazetari i njohur Pano Xhixho që ironizon me këtë fakt.

Kryeredaktori i sportit pranë Radio Televizionit Publik, ka publikuar një foto në rrjetet sociale ku duket mjaft qartë se ulëset janë në drejtim me strehën, çka do të sillte përdorimin e çadrave për VIP-at.

 “Gjeni një çadër për trajnerin”, shkruan Xhixho duke ironizuar në këtë mënyrë FSHF-në.