Vllaznia nuk duket se ka qetësi këto ditë vere. Drejtori sportiv i saj, turku Engin Firat, duket se ka nxitur jo pak polemika dhe për më tepër ka hapur të tjera probleme te kjo skuadër.

Thëniet e tij për sa i përket buxhetit, mungesës së rrogave dhe për më tepër deklarimit që mund të kthehet në profesionin e tij të preferuar, atë të trajnerit, të bën të mendosh se Vllaznia e sezonit të ri do të ribëhet, jo vetëm nga lojtarët, por edhe nga stafi teknik. Me sa duket, vetëm administratori Suad Lici dhe katër lojtarë të formacionit bazë kanë kontratë me këtë klub.

Pjesa tjetër, duke filluar që nga Firat, stafi teknik, Canaj, Osja, Lekiqi dhe të gjithë lojtarët u ka përfunduar kontrata. Me sa mësohet, i pari që do të nisë punën te Vllaznia do të jetë pikërisht stafi teknik me në krye drejtorin sportiv Firat.

Pak ditë më parë, ai dhe administratori i klubit Suad Lici, kanë pasur një takim me kryebashkiaken Ademi, prej së cilës kanë marrë garancinë për të vijuar punën për ndërtimin e skuadrës me të cilën Vllaznia do të përfaqësohet në Superiore në sezonin e ri. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur madje se dyshja Lici-Firat kanë nisur edhe punën për merkaton, por krejt papritur vjen lajmi se drejtori turk mund t’i lërë kuqeblutë.

Një deklaratë që i ka gjetur ndoshta të papërgatitur drejtuesit e tjerë të klubit. Megjithatë, në ditët në vijim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë çështje, nëse kontrata me Firat do të rinovohet, apo pozicioni i drejtorit sportiv do të mbetet bosh. Një vit më parë ishin të shumtë emrat që konkurruan për drejtor sportiv dhe për trajner pranë kësaj skuadre.

Alban Hasani e Elvis Kraja të licencuar në këtë drejtim ishin ndër kandidatët kryesorë, por numri një i bashkisë zgjodhi Firatin për t’i drejtuar kuqeblutë nga ana teknike. Tani te Vllaznia nuk po bëhet fjalë për gjetje emrash për trajner apo konfirmim të Canajt, por po flitet edhe për Firatin.

E rëndësishme në fakt është që puna të vijojë për ndërtimin e skuadrës, duke nisur nga konfirmimi i trajnerit dhe më pas edhe i lojtarëve që do ta përfaqësojnë Vllazninë në sezonin e ri. Deri tani gjërat janë në vendnumëro. Madje edhe vetë Lici, nisur nga situata parazgjedhore, duket se nuk mund të marrë përsipër asgjë pa mësuar më parë fatin e zgjedhjeve lokale.

Me sa duket, ashtu si edhe një sezon më parë, Vllaznia mund të ribëhet më vonë se të gjitha skuadrat e tjera. Megjithatë, duhet pritur, pasi situata mund të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë./panorama-sport/