Real Madrid do të presë ditën e nesërme Liverpul për llogari të Champions League, teksa në konferencë për shtyp ka dalë tekniku i madrilenëve, Zinedin Zidan. Francezi ka theksuar se Liverpul për të është i frikshëm edhe pse ka mungesa në mbrojtje, ndërsa shton se në këtë sezon, ekipi i tij është nënvlerësuar.

Është nënvlerësuar Reali në këtë sezon? “Mendoj se po, besoj se në fund të fundit ne meritojmë besim. Ajo që mund të bëjmë është të punojmë në çdo ditë, kjo skuadër ka treguar se mund të përmbysë parashikimet sepse nuk dorëzohet kurrë. Derisa të ketë jetë ne do të luftojmë gjithmonë. Kemi kaluar momente të vështira, por tani jemi mirë”.

Sa do të ndikojnë mungesat që Liverpul ka në mbrojtje? “Nuk e di nëse mund të flas për probleme duke parë lojtarët me kualitet që kanë në grup. Kanë mungesa, por forca e tyre është te kolektivi”.

Si është Hazard, do të jetë pjesë e skuadrës? “Eden duhet të jetë i qetë, nuk duam ta rikthejmë para kohe një lojtar që nuk është mirë. Do t’i marrim gjërat shtruar dhe më pas do të shohim kur mund të jetë gati. Shpresoj ta kem në dispozicion për pjesën finale të sezonit”, u shpreh Zidan. /VipSport/