Për ndeshjen e braktisur ndaj Teutës, gjysmëfinale e tretë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, Vllaznia ka reaguar me anë të një deklarate në faqen e klubit në rrjetet sociale.
Nderkohe edhe kapiteni i Teutës, Kristi Gorea ka reaguar dhe ai u shfaq shumë i habitur me vendimin e Vllaznisë për t’u tërhequr nga ndeshja, teksa e komentoi kështu atë që ndodhi dje në pallatin e sportit “Ramazan Njala”:
“Nuk e di çfarë ndodh në këto situata, por kam besim se drejtësia do të vendoset në vend dhe shpresojmë që ta përfundojmë këtë ndeshje, sepse Teuta do që t’i fitojë ndeshjet në parket, pasi nuk i druhet asnjë skuadre. Ndeshjen e kishim përgatitur me shumë seriozitet gjatë të gjithë këtyre ditëve dhe ekipi e filloi lojën mjaft mirë.
Në periodën e dytë patëm pak probleme, kjo edhe pak nga lodhja dhe nga rotacioni i shkurtër që ka ekipi. Më pas në fundin e periodës së dytë, një 3-pikësh në sekondën e fundit nga Memçaj u kontestua për shkak të problemeve të sirenës së kohës në tabelën e pikëve dhe ekipi i Vllaznisë vendosi që të tërhiqet nga gara.
Tani të shikojmë se çfarë do të vendosë Komisioni i Disiplinës. Deri më sot nuk ka ndodhur ndonjëherë ndonjë situatë e tillë, që një ekip të braktisë ndeshjen për këto situata”, deklaroi Kristi Gorea.