Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit ka marrë sot vendimin për ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë, takimi i tretë gjysmëfinal i “play off”-it në kampionatin kombëtar në radhët e meshkujve, i zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në Durrës.

Disiplina ka vendosur që ndeshja të rifillojë aty ku u ndërpre në shifrat 47-40 për Teutën, ndërsa do të luhen 20 minutat e pjesës së dytë. Paraprakisht është caktuar data 6 maj, me startin në orën 19:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Në rast të mungesës së hapësirës së sallës, për datën dhe orën, duhet gjendur hapësira më e afërt e mundshme. Komisioni i Disiplinës gjithashtu u ka tërhequr vërejtje të dyja klubeve për këtë rast.

Teutës i është tërhequr vërejtje për sigurimin e të gjitha masave organizative konform rregullores së aktiviteteve kombëtare të basketbollit, në veçanti riparimin e sinjalizuesit për përfundimin e kohës së periodës. Në rast se për arsye teknike nuk do të jetë e mundur riparimi në kohë i pajisjes në fjalë, atëherë do të përcaktohet një zyrtar shtesë nga FSHB për të vendosur sinjalizuesin në mënyrë manuale.

Mos përmbushja e kushteve organizative optimale për zhvillimin e ndeshjes, sipas përcaktimit nga gjyqtari i parë i ndeshjes apo dhe vëzhguesi, do të detyrojë FSHB-në drejt zbatimit të nenit: “10.2 Mungesa ose mosfunksionimi siç duhet i pajisjeve apo ndriçimi i pamjaftueshëm, që çon në zhvillim jo normal të ndeshjes, gjobitet me 5’000 lekë. Në rast se kjo shkakton mos-zhvillimin e ndeshjes, ekipi e humbet ndeshjen aforfe dhe gjobitet me 100’000 lekë”.

Ndërkohë për sa i përket Vllaznisë, ajo ka marrë vërejtje për mosrespektimin e vendimit të gjyqtarëve, specifikisht gjyqtarit të parë si zyrtar me të drejtën e vendimmarrjes për fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e ndeshjes. Tërheqja e ekipit në mënyrë të njëanshme nga drejtues të skuadrës do të detyrojë FSHB-në drejt zbatimit të nenit: “12.5 – Në rast se një ekip nuk pranon të luajë apo largohet nga fusha e lojës në mënyrë demonstrative, e humbet ndeshjen aforfe dhe gjobitet me 500’000 lekë”.

Në vendimin e dhënë, FSHB shpreson për reflektim nga të dyja ekipet skuadrat frymës sportive për përcaktimin e ekipit që do të kualifikohet në finalet e kampionatit kombëtar meshkuj bazuar në rezultatet e garës të dala nga parketi i lojës.