Ndeshja Vllaznia-Partizani është një duel që mbart një pjesë të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Një duel që në vite ka prodhuar rivalitet, tituj dhe ndeshje të paharrueshme.

Por nëse do ishte një ngjarje që do “ndizte” në maksimum rivalitetin mes dy ekipeve, do ishte data 23.05.2018. Në Superligën e sezonit 2017-18 luhej java e fundit e kampionatit.

Vllaznia luftonte në distancë me Kamzën për mbijetesën në Superligë. Shkodranët udhëtonin drejt Korçës për tu ndeshur me Skënderbeun që kishte fituar titullin disa javë para përfundimit të kampionatit.

Ndërsa Kamza do luante një ndeshje të vështirë vetëm në letër pasi në fushë nuk rezultoi e tillë. Ata do ishin përballë Partizanit në javën e fundit, ku çdo gjë në fund doli sipas parashikimeve.

Të kuqtë kryeqytetas toleruan hapur ndaj Kamzës, me motivacionin se nuk kishin objektiva dhe që i shikonin si një ndeshje miqësore më tepër. Rezultati në fund do ishte 0-1 për Kamzën, të cilët do mbijetonin në Superligë ndërsa Vllaznia mes lotëve të futbollistëve në Korçë dhe të mijërave vetëve në Shkodër përfundonte në Kategorinë e Parë.

Në atë moment Partizani do shndërrohej në ekipin e urryer nga tifozeria shkodrane. Në skuadrën që ndikoi në rënien e Vllaznisë një kategori më poshtë. Rivaliteti është i zjarrtë mes dy skuadrave, por gjithmonë brenda luftës dhe grintës sportive e duke mos kaluar asnjëherë në ekstremitete që nuk i kanë hije asnjërës prej dy skuadrave.

Endri ÇINARI