Nga Endri ÇINARI
Përballja e së shtunës do Laçi-Vllaznia që do zhvillohet në orën 14:00 do jetë një takim me të shkuarën për dy futbollistë të kuqebluve. Fjala është për dyshen e mesfushës Ardit Deliu dhe Klinti Qato. Të dy lojtarët në të shkuarën kanë mbajtur veshur me sukses fanellën bardhezi. Madje duke u shndërruar në lojtarë të spikatur në kampionatin tonë.
Duke nisur që nga Deliu i cili tek Laçi arriti madje të fitonte edhe një transferim në Letoni. Kavajasi është aktivizuar nga sezoni 2018-19 deri në atë 2021-22 me laçianët. Në këtë mënyrë duke lënë shenjën e tij me kurbinasit ku ishte ndër futbollistët kryesorë të skuadrës në atë periudhë. Gjithashtu edhe Klinti Qato ka qenë një ndër protagonistët me bardhezinjtë në të shkuarën.
Kuçovari ka qëndruar për 3 sezone në Laç, nga edicioni 2021-22 deri në atë 2023-24. Ku në edicionin e fundit ka qenë një titullar i padiskutueshëm duke zhvilluar 32 ndeshje në kampionat. Nga të dy këta futbollistë vetëm Qato pritet ta nisë si titullar sfidën e së shtunës ndërsa për Deliun duket se do pritet edhe pak. Për shkak se ish-futbollisiti i Tiranës ka vetëm 1 javë që është rikthyer me skuadrën pas një dëmtimi.
Nga ana tjetër në kampin laçian nuk ka asnjë futbollist apo drejtues që të ketë dhënë kontributin e tij me Vllazninë në të shkuarën. Deri para pak ditësh skuadrën e drejtonte trajneri shkodran, Armando Cungu. I cili u dorëhoq nga drejtimi i kurbinasve dhe në sfidën ndaj Vllaznisë stoli laçian do ketë një drejtues të ri. I cili është italiani Moreiro që debutimin e tij do e bëjë kundër 9 herë kampionëve të vendit./www.shkodrasport.com/