Nga Endri ÇINARI

Mungesat e shumta këtë sezon që ka pasur Vllaznia për shkak dëmtimesh, ka bërë që tek kuqeblutë të aktivizohen elementë të rinj. Të cilët kanë justifikuar me paraqitjet e tyre, madje duke fituar edhe rolin e titullarit dhe protagonistit. Ku njëri prej tyre është Kevin Dodaj. Me sulmuesin 19-vjeçar që tashmë është një titullar i vazhdueshëm i shkodranëve e madje ka shënuar edhe 4 gola këtë sezon.

Duke u shndërruar kështu në zbulimin e sezonit jo vetëm tek Vllaznia, por në mbarë kampionatin e Superioress. Megjithatë në ndeshjen e fundit ndaj Laçit të fituar 2-1 nga kuqeblutë ishte një tjetër element i ardhur rishtazi nga akademia e Vllaznisë që la shenjë. Ai ishte Antonio Delaj, që u hodh në fushë në fakt si zëvendësues pas dëmtimit të Spahijas. Performanca e 21-vjeçarit ishte po ashtu në nivelin e duhur.

Ku madje ai bëri edhe diferencën me golin e tij, ku rrëmbeu një top nga mbrojtja kurbinase. Dhe me një goditje të fortë në hyrje të zonës, arriti të mposhte Dajsinanin. Kjo për të shënuar edhe golin e parë sezonal për shtatshkurtërin. Të dy sulmuesit pritet ta nisin nga minuta e parë ndeshjen kundër Partizanit që do luhet të premten.

Dhe shpresat në kampin shkodran janë pikërisht tek kjo dyshe. Ku së bashku me Balajn në majën e sulmit të udhëheqin skuadrën drejt një rezultati pozitiv. Që do mbyllte siç duhet vitin 2024 për skuadrën e Brdariç. Ku në mbylljen e këtij viti kalendarik shkon në Tiranë për tu përballur me të kuqtë me mungesën e 10 futbollistëve. Të cilët mungojnë të gjithë për shkak dëmtimesh./www.shkodrasport.com/