Kampionati shqiptar i futbollit do jetë pushim këtë fundjavë. Kjo për shkak të impenjimeve që do ketë kombëtarja me ndeshjet miqësore kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë.
Por aktiviteti i futbollit tonë do rikthehet në mesjavën tjetër, ku do luhen ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të kupës së Shqipërisë. Vllaznia është ende në garë në këtë kompeticion, ku do ketë sfidën dyshe kundër Partizanit për të arritur finalen.
Shkodranët që nuk po kalojnë një formë të mirë në kampionat, duket se tashmë si objektiv kryesor kanë fitimin e kupës. Kjo javë e pushimit patjetër që është në favor të Vllaznisë. Pasi do rikthehen me ekipin disa futbollistë të rëndësishëm që kanë munguar në javët e shkuara. Kështu dyshja e sulmitt, Latifi-Da Silva duket se po lënë pas problemet fizike.
Të dy sulmuesit që kanë qenë protagonist me kuqeblutë këtë edicion me shumë mundësi do jenë të gatshëm për ndeshjen kundër Partizanit. Latifi mungoi në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Egnatias, e ndërsa braziliani ka disa javë që mungon për shkak të problemeve fizike. Por tashmë të dy duket të jenë të gatshëm për trajnerin Plori.
Të dy futbollistët janë të rëndësishëm për skuadrën kuqeblu. Madje edhe të dy këtë edicion në kampionat kanë gjetur golin kundër Partizanit. Edhe shpresat e tifozëve janë të mëdha tek Latifi e Da Silva, që konsiderohen si ndër lojtarët më të mirë të kampionatit.
Endri ÇINARI