Nga Endri ÇINARI

Ndeshja e rradhës në kampionat që përkon me javën e 35-të të Superiores për Vllazninë do luhet në transfertë kundër Elbasanit. Një duel delikat, duke qenë se jo vetëm kuqeblutë duan dy vendet e para në renditje, por edhe verdheblutë kërkojnë renditjen në katër më të mirat. Prandaj ditën e shtunë në orën 15:30 pritet një duel shumë interesant.

Statistikat e këtij sezoni në duelet direkte Elbasani-Vllaznia flasin në favor të shkodranëve. Dy ekipet janë përballur 5 herë këtë edicion mes ndeshjeve të kampionatit dhe kupës. Kështu në kampionat Vllaznia ka marrë një barazim 0-0 në fazën e parë. Kuqeblutë kanë triumfuar në fazën e dytë me rezultatin 1-2. Ku golit të Qaqit i përgjigjeshin Dodaj e Çoba për shkodranët, shkruan shkodrasport.com

Në fazën e tretë sërish ekipet do e mbyllinin në një barazim 1-1, ku shënues ishin Deliu për Vllazninë dhe Musta për Elbasanin. Teksa humbiste një penallti edhe Bekim Balaj në këtë sfidë. Shkodranët do ishin triumfatorë ndaj Elbasanit këtë sezon edhe në çerekfinalet e kupës së Shqipërisë. Ku dueli i parë në Elbasan përfundoi me rrjetat e paprekura në rezultatin 0-0.

E ndërsa në kthim sfida do ishte spektakolare sepse ndeshja do përfundont me rezultatin 3-3 pas kohës së rregullt dhe 30 minutave të shtesës. Ku Vllaznia do ishte më e saktë nga goditjet e 11 metërshave për të kaluar në gjysmëfinale më pas. Statistika që flasin në favor të shkodranëve që pavarësisht se nuk janë super dominuese, tregojnë për një traditë pozitive të kuqebluve ndaj Elbasanit.