Pas dy fitoresh dhe një barazimi në kampionat javët e fundit, Laçi ka këtë fundjavë një mundësi shumë të mirë për t’i krijuar një lloj komoditeti vetes në renditje.

Nëse fiton të dielën ndaj Teutës, skuadra e trajnerit Moriero shkëputet ndjeshëm në tabelë nga rivalët e mbijetesës. Përveç pikëve, skuadra kurbinase në këtë rast do të fitonte edhe qetësinë e nevojshme për të administruar më mirë pjesë e mbetur të kampionatit.

Në raport me kundërshtarin e radhës, që nuk fiton prej shumë javësh, Laçi gëzon një formë mjaft të mirë dhe po ashtu ka edhe avantazhin psikologjik e të fushës. Presioni është më i madh te Teuta dhe në këtë kurbinasit janë gati të godasin, për më tepër që kërkojnë edhe një lloj “hakmarrje” për humbjen e fazës së parë kundër durrsakëve.

Me një fitore të mundshme të dielën, Laçi do t’i mbyllte “llogaritë” me këtë kundërshtar. Mungon Bibo për shkak kartonësh, por trajneri Moriero ka një grup të mirë lojtarësh dhe mund të përballojë çdo sfidë pa problem.