Besëlidhja udhëton këtë të diel drejt Barbullushit për t’u ndeshur me Murlanin për llogari të javës së dytë të kampionatit. Trajneri Dritan Smajli për “Panorama Sport” u shpreh:
“Fitorja në start ishte morale, pasi ekipi tashmë po krijon besim në vete, çka na jep shpresa për një të ardhme të suksesshme. Kam besim te ky ekip dhe me atë çka ka treguar në stërvitje, do ta bëjë edhe më mirë në fushën e Murlanit.
Në seancën e fundit kemi punuar që t’i minimizojmë gabimet e vërejtura ndaj Albanëve. Të gjitha ekipet hyjnë në fushë për fitore, ndaj ne do të përpiqemi që të gabojmë sa më pak, në mënyrë që të marrim tri pikët tona. Fjalën e fundit dhe vulën do ta vendosë mbyllja e sfidës”.