Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do e luajë ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt ditën e shtunë. Kuqeblutë do presin në Shkodër, Skënderbeun, për ti bërë mbylljen edicionit. Një sezon që nisi plot skepticizëm për shkodranët, ku askush nuk i llogariti në garën për titull. E ndërsa skuadra tashmë është pjesë e “final 4” dhe javën tjetër do luajë në “Air Albania” për të tentuar titullin që mungon prej 23 vitesh në Shkodër.
Për tu kthyer tek ndeshja ndaj korçarëve, ajo duket se nuk ka ndonjë vlerë të madhe për ekipin e Brdaric. Kjo pasi skuadra tashmë ndodhet në vendin e tretë dhe rikthimi në vendin e dytë duket i pamundur duke parë që edhe Partizani ka një ndeshje të lehtë në letër si ajo kundër Erzenit. Por ndeshja ndaj Skënderbeut mund të jetë një shans për të gjithë tek Vllaznia.
Duke nisur që nga lojtarët e formacionit, të cilët mund të pushojnë pas një sezoni të lodhshëm. Dhe të jenë totalisht të gatshëm për ndeshjet e “final 4” pas një jave. Po ashtu një shans edhe për lojtarët e stoli, të cilët nuk kanë pasur minutat e duhura dhe mund të tregojnë që mund ti vlejnë kuqebluve për sezonin tjetër.
Por një shans edhe për futbollistë e rinj, të cilët mund të kenë shansin në duelin ndaj korçarëve për tu parë në fushë. Një ndeshje ndaj Skënderbeut që më shumë iu vlen këtyre të fundit, pasi janë në garë për vendin e katërt. E ndërsa për Vllazninë, një duel që duhet ti përgatisë për garat e fundit dhe më vendimtare të edicionit./www.shkodrasport.com/