Një raport i UEFA-s për ndeshjen e parë të këtij sezoni ka tronditur sërish futbollin shqiptar. Edhe pse FSHF ka mbajtur të fshehtë gjithçka, mësohet se në javën e parë të shtatorit UEFA ka dërguar në institucionin e futbollit një raport me dyshimet që ka mbi ndeshjen e 24 gushtit, Vllaznia-Skënderbeu 1-3. Ky takim dyshohet se ka qenë i fiksuar për llogari të kompanive të basteve. “Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve”, një strukturë e ngritur nga UEFA, ka dalë në konkluzionin se në këtë takim koeficientet kanë qenë të dyshimtë dhe për më tepër janë luajtur shuma të mëdha në baste. Ky sistem monitoron paratë e vendosura për ndeshjet e dyshuara dhe lëvizjen e koeficienteve. Në këto kushte, kjo sjell edhe përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është trukuar apo jo. Në raportin e dërguar në FSHF, mësohet se jepen detaje ku koeficientet kanë qenë shumë të çuditshëm dhe janë luajtur miliona në baste. Rezultati përfundimtar dhe paratë e hedhura gjatë ndeshjes kanë lënë hije të mëdha dyshimi. Në raportin e ekspertëve të UEFA-s kjo ndeshje dyshohet si e fiksuar, edhe pse faktet mungojnë. Gjithçka është një e dhënë e marrë nga kompanitë e basteve, ashtu siç ndodhi edhe në sezonin e kaluar, kur një raport i UEFA-s cilësoi shumë ndeshje si të paracaktuara në Kategorinë Superiore.

Klubet njihen me raportin
Raporti i UEFA-s mësohet se u është dorëzuar klubeve të Skënderbeut dhe Vllaznisë. Në këto kushte, drejtuesit e tyre do të njihen më hollësisht në lidhje me atë që dyshon institucioni më i lartë i futbollit në Evropë. Raporti i UEFA-s ka mbërritur në FSHF që javën e parë të muajit shtator, ndërkohë që ndeshja mes Vllaznisë dhe Skënderbeut është luajtur më 24 gusht. Ky ka qenë takimi i parë për sezonin 2012-2013.

ETIKA
Raporti i mbërritur nga UEFA për ndeshjen Vllaznia- Skënderbeu mund të kalojë për shqyrtim në Komisionin e Etikës, i ngritur enkas nga institucioni i futbollit shqiptar pak muaj më parë. Megjithatë, edhe këtë herë gjasat janë që të ndiqet e njëjta procedurë si për ndeshjet e tjera që UEFA ka hedhur dyshime. FSHF-ja ka premtuar se do të ndjekë shembullin e Maqedonisë, që të tilla çështje ia kalon për shqyrtim Prokurorisë.
(Marrë nga gazeta “Panorama Sport”)