Nga Endri ÇINARI

Pas humbjes në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Egnatias në shifrat 1-0, Vllaznia do ketë sërish një ndeshje të fortë. Kësaj rradhe në kampionat ku të dielën udhëtojnë drejt kryeqyteti. Kjo për tu përballur kundër Partizanit, një ndeshje që vlen vendin e dytë në kampionat. Pozicion shumë i rëndësishëm në fundin e edicionit.

Kjo pasi në “final 4”, vendi i parë dhe i dytë gjatë kampionatit të rregullt, iu mjafton edhe barazimi për të kaluar në finalen e kampionatit. Prandaj tek kuqeblutë e gjithë vëmendja është tek ky duel dhe humbja ndaj Egnatias është lënë pas. Statistikat e 3 ndeshjeve të fundit në kampionat mes Partizanit dhe Vllaznisë në Tiranë flasin në favor të të kuqve.

Kështu “demat” triumfuan edhe gjatë këtij sezoni në shtëpinë e tyre ndaj shkodranëve. Kjo me rezultatin 4-1 në javën e 12-të të kampionatit. Edhe në duelin e fundit të sezonit të shkuar mes dy ekipeve, Partizani triumfoi me shifrat 2-1 , ku golin e shënoi Balaj. Fitorja e fundit e Vllaznisë kundër Partizanit në kryeqytet daton para më shumë se një viti.

Më saktësisht në datën 13.01.2023, ku kuqeblutë triumfonin me përmbysje. Partizani kalonte fillimisht në avantazh me Gueye. Por golat e Jonuzit dhe Çobes thuajse në limite të ndeshjes i jepnin fitoren kuqebluve me rezultatin 1-2. Në vitet e fundit Vllaznia ka arritur të marrë shpesh rezultate pozitive në kryeqytet, si ndaj Partizanit apo edhe Tiranes. E me patjetër ditën e dielë, shkodranët do kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv, kjo për të ruajtur edhe vendin e dytë në klasifikim./www.shkodrasport.com/